Gjykata e Shkodrës ka vendosur pezullimin e dënimit për nënë lehonë Diana Bahçja e cila ishte dënuar me burg 8 ditë pasi kishte sjellë në jetë një fëmijë.
Rasti në fjalë ngjalli reagime të shumta pas sensibilizimit në media, duke u ngritur si çështje edhe në seancën e djeshme plenare.
Diana Bahçja ishte dënuar me burg pasi kishte dështuar të paguante një gjobë prej rreth 2.5 milionë lekë të vjetra, për braktisjen e fëmijës së parë, megjithëse ajo e kundërshton diçka të tillë.
Avokati mbrojtës tha se vendimi ishte i drejtë dhe human, ndërsa për pagesën e gjobës tashmë janë ofruar shumë persona.
“Gjykata vendosi lirimin e menjëhershëm të, Diana Bahçja. U vendos pezullimi i dënimit me burg.
Drejtësia u vu në vend dhe ishte një vendim mjaft human. Falenderoj kolegët e mi. Falenderoj mediat se pa ju do ishte e pamundur në një kohë kaq të shkurtër. Në lidhje me gjobën kemi marrë shumë telefonata dhe shumë mundësi nga njerëz të ndryshëm që do të kontaktojnë dhe janë vetëofruar për të paguar gjobën”, u shpreh avokati pas seancës gjyqësore.