Lauren Spaho nga Korça është masakruar mbi 25 herë me thikë nga disa persona me kombësi arabe në Suedi, pasi ka ndërhyrë për të ndarë bashkëmoshatarët e tij gjatë një sherri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e një diskoje, në 8 maj në qytetin Karlstad të Suedisë.
I riu kishte shkuar në Suedi 7 muaj më parë, ku edhe punonte në ndërtim. Lauren Spaho ka qenë në një disko bashkë me disa bashkëmoshatarë të tij me kombësi arabe. Brenda ambienteve të diskos ka nisur një sherr midis bashkëmoshatarëve të 20-vjeçarit dhe Laureni ka ndërhyrë për t’i ndarë. Bëhet me dije se pasi kanë dalë nga disko, grupi i të rinjve me kombësi arabe kanë sulmuar shqiptarin duke e goditur mbi 25 herë me thikë. Goditjet kanë qenë fatale për të riun.
20-vjeçari është dërguar në spital ku ka qëndruar 24 orë në gjendje kome, dhe më pas fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Për ngjarjen, policia suedeze fillimisht ka shoqëruar 9 persona me kombësi arabe dhe më pas është dhënë masa “arrest me burg” për 5 prej tyre. Në burg aktualisht ndodhen tre persona për këtë ngjarje të rëndë.
Autoritetet suedeze kanë lajmëruar autoritetet shqiptare dhe më pas policia shqiptare ka lajmëruar familjen e 20-vjeçarit për ngjarjen e rëndë. Por familja e të ndjerit e ka të pamundur për marrjen e trupit.
Ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga masakra, familja e 20-vjeçarit po has vështirësi për marrjen e trupit të djalit të tyre, dhe sjelljen në Shqipëri. Familja e të riut pretendon se autoritetet shqiptare nuk i janë përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë, që të marrin trupin e djalit të tyre. Madje babai i Laurenit ka tentuar vetë të shkojë në Suedi që të marrë trupin e djalit, por nuk është lejuar, kanë thënë në një komunikim për “News24”. Familjarët pretendojnë se ambasada shqiptare në Suedi nuk i ka ndihmuar. Ndërsa autoritetet suedeze kërkojnë që të përfundojnë të gjitha procedurat hetimore, dhe nuk po lejojnë marrjen e trupit të 20-vjeçarit nga familja.