Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar me rezultatin e pastër 2-0 ndeshjen e radhës kundër Polonisë, në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet, me dy gola të mrekullueshëm të Jasir Asanit në pjesën e parë dhe Mirlind Dakut në pjesën e dytë, duke i renditur kështu kuqezinjtë në vendin e parë të grupit E me 10 pikë.
Kujtojmë se ndeshja nisi me përplasje mes tifozëve, ku ishin kroatët, ata të cilët sulmuan me sende të forta e stola ata shqiptarë, përplasje, që fatmirësisht u neutralizua nga policia dhe FNSH.
Por, edhe pak sekonda pasi nisi pjesa e parë ndeshja u ndërpre nga arbitri, pasi tifozët shqiptarë hodhën flakadanë në fushë, por gjithçka u normalizua për pak sekonda dhe ndeshja vijoi më tej.
Polakët ishin ata që shënuan të parët me një krosim në zonë, por që fatmirësisht ishte ndërhyrja e VAR që u anuloi golin për pozicion jashtë loje. Kjo nuk do t’i trembte kuqezinjtë, të cilët do të gjenin golin me Jasir Asanin, i cili me të majtën e tij arriti të mposhtë portierin polak.
Ndërkohë, goli i dytë i ndeshjes u shënua nga i sapofuturi në fushën e lojës Mirlind Daku, i cili pas shënimit të golit ka shpërthyer në lot, ndërsa u ndëshkua edhe me kartonin e verdhë, për shkak se hoqi fanellën.
Pas pesë minutave shtesë në pjesën e dytë, kuqezinjtë shpërthyen në festë, pasi momentalisht renditen të parët në grup, duke na rritur ndjeshëm shanset për kualifikim në EURO 2024.