Një tjetër rrëfim prekës na vjen nga studio italiane e emisionit “Verissimo”, ku koreografi i njohur shqiptar Kledi Kadiu ka folur për një aspekt të jetës së tij, të cilin nuk e ka pasur problem ta flasë shpesh në media. Familja është gjëja më e shtrenjtë, e sidomos kur vjen fjala tek fëmijët dhe shëndeti i tyre, çdo gjëje tjetër i zbehet rëndësia.
Kledi Kadiu që prej lindjes së të birit e ka folur hapur sëmundjen që i mundon shëndetin djalit të tij, Gabrielit. Ai u diagnostikua me meningoencefalit, pak çaste pas lindjes. E vështirë sigurisht, por që balerinit të njohur i ka dhënë më tepër forcë për të jetuar jetën në mënyrën se si vjen.
“Do të jetë sigurisht një rrugëtim i gjatë, por ne jemi të kënaqur. Po bëjmë hapa të vegjël përpara. Gabrieli është i vendosur, një luftëtar, si unë. Ai po më mëson të marr jetën ashtu siç vjen, të përveshë mëngët dhe të shikojë gjithmonë përpara. Është e kotë të fokusohesh në gjëra nga e kaluara që nuk japin rezultat”, është shprehur balerini, duke i shpjeguar moderatores Silvia Toffani se si ka ndryshuar jeta e tij pas diagnozës së të birit.
Sëmundja e Meningoencefalitit prek shtresat mbrojtëse që veshin trurin. Ajo shkaktohet nga bakteri i veçantë, meningoku dhe shoqërohet me temperaturë, vjellje dhe dhimbje të forta koka.