Pak ditë më parë u tha se reshjet intensive të shiut ditët e fundit do të shpëtonin qytetarët nga rritja e fashës 800 kWh.Kjo do të thoshte që rritja e çmimit të energjisë nuk do të realizohej, pasi do të kishim mjaftueshëm rezerva për prodhimin e saj.
Por çfarë ndodhi sot? Reshjet tejkaluan pritshmëritë dhe hidrocentralet tona nuk mund të prodhojnë me kapacitet të plotë.
Dy ditë më parë zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaronte se reshjet e shiut do bënin që Shqipëria të shiste energji në eksport ose ta depozitonte në Kosovë, por në asnjë mënyrë nuk do ta shkarkonte.
Parashikimi për shiun doli, por për të tjerat jo. KESH nëpërmjet një njoftimi zyrtar ditën e sotme njoftoi se 30% e prurjeve në Kaskadën e Drinit janë shkarkuar, pasi u kalua kuota maksimale e digave. Përveç shkarkimeve, KESH nuk ka prodhuar as me kapacitet të plotë deri në orën 14:00.
Por si ndodhi kjo situatë? KESH shprehet se reshjet e shiut u përqendruan në dy basene të vogla si ajo e Komanit dhe Vaut të Dejës, ku nuk kishin një kapacitet të lartë rezervimi siç do ishte rasti i Fierzës.
KESH prodhoi me gjysmë kapaciteti pasi në bazë të një tenderi të zhvilluar 1 javë më parë, gjysmën e nevojave po e mbulonte me energji nga importi, e cila zgjaste deri të hënën.
Por, pse KESH importoi kur priste reshje shiu? Sipas shpjegimeve në parashikimet e Koporatës pritej që shiu të fillonte të dielën pasdite.