Një ndër bosët më të mëdhenj në Shqipëri sa i përket lojërave të fatit, Ervis Martinaj, rezulton i humbur prej disa muajsh. Familjarët e tij kanë thënë se nuk kanë komunikuar me të që prej datës 9 gusht ndërsa mbrëmjen e sotme xhaxhai i tij ka dhënë një deklaratë të fortë në media.
Faik Martinaj tregoi se ka punuar rreth 10 vite në polici dhe e di se si funksionon. Ai thotë se me gjithë konsoderatën për policinë, dhe për drejtorin e policisë së shtetit, nuk e lejojnë që ai të zbardhë ngjarjen, pasi janë të kapur nga kryeministri.
I pyetur nëse kanë ndonjë provë, xhaxhai i Vis Martinajt tha: Prova është Edi Rama, që na ka dhënë deklaratën në fushatën e kaluar. Na ka thënë “edhe në brimë të miut, ne jua dimë targën e makinës”. Ky është ideatori, ky është iniciatori, ky është me bandat e tij, ky është me oligarkët që ka zaptu bregdetin e jugut, janë interesa. Këtë edhe budallai e kupton… por ai ka të drejtë me fol, ne s’kemi të drejtë me fol. Ai të prangos, ai të vret, ai ta zhduk kufomën, ai t’i bën të gjitha. Unë do t’i bëj thirrje nëpërmjet emisionit tuaj: Të paktën xhenazen nxirre, të ketë një varr”.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.