Bashkëshorti i Marjeta Karajt, e cila akuzohet se urdhëroi të birin, Besmir Karajn për dhunimin dhe djegien gjallë të ish të dashurit të saj, Menduh Kurt-Dedës, ka deklaruar se ajo është e pafajshme.
Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur”, ai u shpreh se “nuk ka asnjë pikë dyshimi” se deklaratat e shokut të djalit të tij, Gazmir Ngota, janë gënjeshtra.
Ai u shpreh se në periudhën kur ndodhi krimi i rëndë djali i tij Besmiri, kishte ardhur së bashku me vëllain e tij të madh dhe pronarin e tyre për të hapur një biznes në Shqipëri.
Sipas tij, djali i madh u largua së bashku me pronarin italian, ndërsa Besmiri qëndroi në Shqipëri edhe për disa kohë.
“S’kam asnjë pikë dyshimi. S’kemi pasur biznes privat, jemi punëtor, punoja në ndërtim merrja 2-3 mln lekë në muaj. Do luftoj për djalin tim, me të gjitha mundësitë. Nuk e di nga kanë dalë këto muhabete.
Është e pafajshme, kur më tha avokati, i thashë nuk e njoh, as nuk e di fare se kush është (për shokun e djalit). Djali është me dokumente të rregullta në Itali. Ka rreth 10 vite atje, janë në punë atje. Ka ardhur këtu me pronarin për të bërë me biznes, për frutat dhe perimet. Dy djemtë kanë ardhur këtu me gjithë pronarin. Erdhi disa ditë djali këtu për këtë punë.
Pronari i tha hapim biznes në Shqipëri e bashkëpunojmë. Se kuptoj çfarë lidhje ka. Djali madh iku me pronarin, kurse djali i vogël qëndroi edhe disa.
Për atë djalin edhe unë mund të them është kriminel, ai gënjen në dëshminë e tij, nuk e di çfarë ka në mendje.
Nuk marr vesh fare nga këto gjëra, se di çfarë ka deklaruar as gruaja dhe as ai djali. Ajo rrinte nga mëngjesi në darkë me mua se kujdesej për mua”, tha ai.
Karaj tha në një lidhje telefonike për emisionin “Me Zemër të Hapur” me Evis Ahmetin u shpreh se gruaja dhe djali i tij nuk kanë lidhje me vrasjen e 61-vjeçarit.
Gjithashtu ai mohoi dhe zërat se gruaja e tij kishte një fëmijë ilegal.
“Ore ça po thoni? Jam bashkëshorti i parë që nga 83-shi. S’ke ça pyet për përralla. E vërtetë është se babai i Marjetës ka vrarë një nga vëllezërit. S’më ka pyetur policia në asnjë rast, as në 2017-ën dhe as tani. Nga mediat e mësova ngjarjen. Kam marrëdhënie të shkëlqyer me djalin tim, komunikojmë çdo ditë. Në dijeninë time nuk e di që të jetë martuar më herët. Nuk e di pse u vra vëllai i Marjetës. S’punë kam unë me ata?! Ajo nuk është urdhëruese e vrasjes, ajo s’di gjë fare. Jo nuk është ajo, as djali im.”, tha ai.
Pyetje: A mund të më thoni, kur ka qenë hera e fundit që djali juaj Besimir ka qenë në Shqipëri
Spiro Karaj: Në muajin nëntor, ka qenë bashkë me pronarin. Ai ka 8 vjet në Itali me dokumente.
Pyetje: u jeni të shokuar që gruaja dhe djali i tij ta kanë vrarë një person?
Spiro Karaj: Unë nuk e di për cfarë bëhet fjalë. Nuk kam dijeni farë, nuk kam asnjë informacion.
Pyetje: Ai është qytetar i rregullt në Itali?
Spiro Karaj: Po është i rregullt
Pyetje: Ka familje Besimiri?
Spiro Karaj: Jo është beqar
Pyetje: Faik Stojna, ky emër ju thotë diçka? Është personi që ka një njohje me djalin tuaj?
Spiro Karaj: Nuk di asgjë rreth këtyre muhabeteve.
Pyetje: Si ka mundësi që djali juaj dhe Marjeta njohin këta persona dhe ju jo?
Spiro Karaj: Unë nuk e di.
Pyetje: Për borxhin 10 mln lekë të vjetra që Menduh Kurdeta i ka pasur bashkëshortes tuaj jeni në dijeni?
Spiro Karaj: Nuk jam në dijeni. Unë jam kam lënë gruas buxhetin se vetëm jam i sëmurë. Kam 33 vjet i sëmurë dhe nuk punoj punë fizike.