I fiksuar me pikturat e artistëve të mëdhenj, publikohet videoja e shtëpisë së kryemafiozit

Një shtëpi e rregullt, piktura në mur, dy arushë pelushi, një divan ngjyrë kafe, një dhomë e përdorur si palestër. Apartamenti ku kryemafiozi Matteo Messina Denaro kaloi muajt e fundit në arrati mund të jetë shtëpia e çdo njeriu.

Në dhomën e ndenjes është një televizor, libra të vendosur në një raft, piktura në mure me riprodhime të pikturave të famshme, si Luledielli i Van Gogh-ut dhe fotot e protagonistëve të filmit Kumbari dhe Xhoker. Në dhomën e përshtatur edhe si palestër ndodhet edhe hekuri i hekurosjes, dhjetëra këpucë të shtrenjta të rregulluara në një raft këpucësh. Me pak fjalë një apartament si shumë të tjerë.

Videoja me imazhet e strehës është xhiruar nga “Carabinieri del Ros”, të cilët më 16 janar arrestuan bosin e mafias dhe u kthyen në strehën e tij në Campobello di Mazara.

Matteo Messina Denaro kishte përdorur të dhënat personale të mbështetësve të ndryshëm përgjatë viteve në arrati. Hetuesit dyshojnë se, në strehën e vicolo San Vito, në Campobello di Mazara, mes letrave të bosit të mafias u gjetën dokumente identiteti të falsifikuara me emrat dhe të dhënat e personave realisht ekzistues. Nuk dihet ende nëse dokumentet janë falsifikuar nga vetë bosi i mafies apo dikush ia ka siguruar të paraplotësuara dhe ai ka ngjitur vetëm foton e tij.


Jeta e përditshme e bosit të “Cosa Nostra-s” frymëzohej nga filmat me mafiozë. Këtë e vërteton fakti se në një prej tre bunkerëve sekretë ku fshihej Matteo Messina Denaro në Siçili, karabinierët italianë gjetën dhe një poster me portretin e “Padrinos”, një personazh i luajtur nga Marlon Brando në filmin e njohur Kumbari, ku paraqitet jeta e don Vito Corleone-s.

Bashkë me të janë sekuestruar dhe objekte luksoze, bizhuteri e gurë të çmuar, viagra, veshje të markave të njohura, parfume ekskluzive, por mbi të gjitha dokumente me numra telefoni, shifra dhe një sërë kartelash për njerëz të caktuar. “Padrino”-ja i vërtetë, që ka urdhëruar vrasje mafioze me metoda makabre, ishte tepër i përpiktë në përditshmërinë e tij, gjë e cila e ndihmoi të qëndrojë 30 vite pa u kapur nga policia.

Matteo Messina Denaro, që kishte vjedhur identitetin e Andrea Bonafede, kishte krijuar një rrjet të madh mbrojtjeje dhe sigurie që nuk binte në sy. Harrojini rojet nëpër rrugë, të armatosur dhe të gatshëm për të qëlluar. Ata që ndihmuan dhe mbrojtën bizneset që garantuan që Matteo Messina Denaro të kalonte 30 vjet në arrati, ishin profesionistë, politikanë dhe sipërmarrës të padyshimtë. Me pak fjalë, borgjezi mafioze, e lidhur me Masonerinë.

Mjekë, noterë, avokatë, këshilltarë bashkiakë, deputetë rajonalë dhe kombëtarë. Secili prej tyre në mënyra të ndryshme ka lejuar familjen Messina Denaro të bëhet ajo që është: një kompani holding e aftë për të financuar për tre dekada një arratisje të shtrenjtë të kumbarit të saj, nxënësit të Totò Riina-s dhe mbretit të familjes famëkeqe Corleone. Fjalët e para pas arrestimit të bosit të Cosa “Nostra-s” ishin këto: Mori fund!. Policia italiane adresoi dhe polemikat për sekuestrimin e vonuar të pasurive të 60-vjeçarit, duke thënë se shpreson që askush të mos ketë vizituar tre bunkerët përpara tyre.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *