Arrestohet agjentja e postës ADEX në Korçë, përvetësoi 3 mln euro nga blerjet online

Alma Beqiri, agjente e shërbimeve postare private, është arrestuar nga Policia e Korçës pasi akuzohet se përmes mashtrimit ka përvetësuar shuma të mëdha monetare. 46-vjeçarja përmes mashtrimit ka mundur të përvetësojë 3 milionë euro për një periudhë 2 vjeçare.

Denoncimi për Alma Beqirin është kryer nga vetë kompania postare private ADEX, por edhe nga disa persona të tretë, të cilët kryen pagesa për shërbimin e marrë, por rezultuan përsëri debitorë kundrejt ADEX. Këta të fundit deklaruan që kishin kryer pagesat rregullisht pas marrjes së shërbimit.

Alma Beqiri ishte menaxhere e postës private në Korçë dhe e gjithë vlera e përvetësuar monetare është mbledhur në rreth 2 vite. Policia po heton persona të tjerë të lidhur me të, bëhet fjalë për punonjës të tjerë brenda postës dhe familjar të te arrestuarës, që dyshohet se kanë bashkëpunuar për përvetësimin dhe fshehjen e parave të përfituara.

Shumat e përfituara, gruaja dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.

NJOFTIMI I POLICISË:

DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Postmail”. Operacioni, i finalizuar pas hetimeve të thelluara 2-mujore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Përfitonte shuma të konsiderueshme monetare, duke mos arkëtuar pagesat e klientëve që merrnin shërbimin postar, tek kompania private në të cilën ishte e punësuar agjente e shërbimeve postare private, vihet në pranga 46-vjeçarja. Sekuestrohen 2 automjete që i kishte në përdorim kjo shtetase. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas hetimeve 2-mujore, finalizuan operacionin e koduar “Postmail”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:

-A. B., 46 vjeçe, banuese në Korçë.

Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se kjo shtetase, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro. 46-vjeçarja, me detyrë agjente e shërbimeve postare private, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.

Shumën e konsiderueshme të përfituar, kjo shtetase dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja. Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *