Të tjera detaje tronditëse kanë dalë nga vrasja e 50-vjeçarit në Greqi, i cili u gjet i varur në banesën e tij në Moschato të Greqisë.
Mediat greke kanë nxjerrë dy video tronditëse të cilat lidhen me ngjarjen në fjalë dhe që tregojnë momentet e fundit të burrit, të cilat janë filmuar nga 47-vjeçarja që akuzohet se ka marrë pjesë në vdekjen e tij.
Në të dy videot dëgjohen kërcënimet e gruas ndaj 50-vjeçarit, ku i thotë “Do të të vras”.
“Mund të mos kem forcë të vras veten sepse kam mbaruar, por do të të vras ty”, thotë gruaja.
“Kam humbur gjithçka dhe nuk e kam kuptuar si…”, thekson burri.
Më pas gruaja e pyet: “Më trego ku shkuan paratë” dhe më pas e shan.
50- vjeçari i përgjigjet se ka humbur gjithçka dhe më pas i thotë të fshijë videon.
“Nëse nuk më vrisni tani, do të më vrasin në burg,” dëgjohet burri duke thënë.
“Ke mbaruar dhe ke shkatërruar shumë familje. Do të të vras sot”, i thotë 47-vjeçarja.
Në një tjetër moment, burri dëgjohet duke i thënë 47-vjeçares “më vrisni” dhe më pas ajo i thotë “çohu”, ku në duar mban edhe një litar.
Videot konkrete janë në duart e EL.AS-it, me oficerët kompetentë duke i ekzaminuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Kujtojmë se bashkëshortja e kontabilistit ishte shqiptare dhe përpara vdekjes së tij, ishte kthyer ne vendin tonë.