Çmimet janë rritur, pagat jo. Një qytetari tani i duhen 65 vite punë për të blerë një apartament

Për këdo që ka dashur të blejë një apartament ose shtëpi në Tiranë vitet e fundit ka qenë shumë e vështirë. Edhe pse ndërtimet e reja kanë lulëzuar, pallatet ngrihen si kërpudhat pas shiut, për një qytetar me rrogë është e pamundur të ketë një shtëpi të tijën, ose ta marrë me kredi.
Madje sipas një artikulli të Monitor, nëse para 10 viteve një shqiptari i duheshin 40 vite punë për të blerë një shtëpi, sot i duhen 65 vite.
Sipas Indeksit të Pronave publikuar së fundmi, rezulton se çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë është 1,214 euro/m2 në fund të 9 mujorit 2022, nga 870 euro/m2, që ishte në 2015-n, duke u shtrenjtuar me rreth 40%.Ylli Sula, pohon se në çmimin mesatar përfshihen si apartamentet e reja ashtu dhe ato të vjetra, ndërsa mesatarja e apartamenteve të reja është edhe më e lartë, pasi ndërtimet e reja janë shtrenjtuar me ritme më të larta.

Banka e Shqipërisë, që publikon indeksin Fisher, që mat ecurinë e banesave të reja bëri të ditur se në fund të 6 mujorit të parë 2022, çmimet e apartamenteve ishin rritur me 39%, në krahasim me vetëm një vit më parë.

Ndryshe nga apartamentet që kanë “fluturuar”, pagat reale janë rritur shumë më ngadalë.Sipas INSTAT, në fund të 6 mujorit të parë, paga mesatare në vlerë nominale ishte rreth 60.6 mijë lekë, nga 45.6 mijë lekë në fillim të vitit 2014, me rritje prej 32%.Ndërsa e indeksuar me inflacionin (që mat realisht fuqinë blerëse duke marrë në konsideratë dhe shtrenjtimin e çmimeve gjatë të njëjtës periudhë), paga reale është rritur me rreth 20%.

Sa ka kushtuar në Tiranë blerja e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2, ndër vite?

Një apartament me sipërfaqe 90 m2 i kushton sot “një tiranasi” mesatarisht 12,7 milion lekë, pa përshirë këtu asnjë kosto shoqëruese si mobilim, sigurim i pronës apo taksa mbi pasuritë e paluajtshme etj. Një individ me pagë mesatare do të duhet të punojë 64 vjet sot që të blejë një shtëpi (duke supozuar që 30% të të ardhurave shkojnë për marrjen e një kredie dhe 70%).

Ndërkohë që për të njëjtin apartament ndër vite individi paguante shumë më pak. Në 2015 një hyrje kushtonte mesatarisht 6.4 milion lekë dhe me pagën mesatare të asaj periudhe, atij do ti duheshin 40 vite punë. (shiko grafikun: Sa vite duhen mesatarisht për të blerë një apartament?)

Përllogaritja e mësipërme merr për bazë të ardhurat e disponueshme të një familje të indeksuara me normën e inflacionit, çmimin mesatar të një metri katror në Tiranë, vlerën në kohë të parasë si dhe normat mesatare vjetore të interesit të kredive sipas Bankës së Shqipërisë.

Diferenca thellohet në 25 vite më shumë për zonën brenda “Unazës së vogël”, ndërsa e vetmja zonë paksa favorizuese për qytetarët duket se vijon të mbetet ajo jashtë “Unazës”.

Negativisht në aftësinë paguese për kredinë pritet të ndikojë dhe shtrenjtimi i normave të interesit të huave hipotekore. Në katër muajt e fundit huaja në monedhën vendase për individët për marrjen e një shtëpie është shtrenjtuar ndjeshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë në tetor, interesi mesatar arriti në 4.87%, nga 3.48% në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ky është niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2015. Shtrenjtimi i interesave të kredive reflekton politikën shtrënguese monetare që po ndjek Banka e Shqipërisë nga muaji mars i këtij viti, si një mjet për të luftuar inflacionin e lartë. Norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 2.75% në harkun e shtatë muajve. Rritja e normës bazë nga Banka e Shqipërisë rrit çmimin e injektimit të parasë në sistem, duke e bërë paranë më të shtrenjtë

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *