Dhuna barbare e fisit Rraja, Prokuroria ndryshon akuzën: Plagosje e lehtë me dashje

Prokuroria e Tiranës u ka ndryshuar akuzën fisit Rraja për dhunën barbare në Fushë Krujë ndaj fisit Maja. Në një njoftim për media, bëhet me dije se dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor në trupin e J.Majës, u konstatua plagë në lëkurën e kokës si dhe shëmbje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën.

Po ashtu dhe për të plagosurin tjetër B.Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plagë në lëkurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën. Për këtë prokuroria e Tiranës ka ndryshuar akuzën nga plagosje e rëndë me dashje, në plagosje të lehtë me dashje.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:

Reagim mbi procedimin penal në ngarkim të personave nën hetim për ngjarjen në Krujë. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen e datës 08.07.2023 në Krujë, si dhe publikimet e shumta në media në lidhje me këtë çështje, Prokuroria Tiranë dëshiron të informojë se: Në datën 08.07.2023 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr 5335, në ngarkim të personave nën hetim I.Rr., A.Rr., E.K., P.Rr., Xh. Rr, F. Rr, R. Rr, K. Rr. dhe E. M. për veprën penale “Plagosje të rëndë me dashje” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 88/1 e 25 të K.Penal. Personat nën hetim në fjalë, në mesditën e datës 06.07.2023, kanë sulmuar me mjete të forta shtetasit J.M. dhe B.M.

Nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor 1620, të datës 24.07.2023, mësohet se në trupin e shtetasit J.M., u konstatua plagë në lëkurën e kokës si dhe shëmbje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.

Ndërsa nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor 1621, të datës 24.07.2023, mësohet se në trupin e shtetasit B.M., u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plagë në lëkurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë si dhe shembje të indeve të buta të kokës dheë të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve, që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.

Mbështetur në kriterin mjeksor, të parashikuar në ligj, dëmtimet shtetasve J.M. dhe B. M., e klasifikojnë veprën penale të kryer ndaj tyre si, “Plagosje e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i K. Penal. Personat nën hetim F.Rr. dhe Xh.Rr., të përfshirë në ngjarje, kanë pasur në duar edhe sende që dukeshin si armë të llojit pistoletë, të cilat i kanë përdorur si mjete për të kanosur viktimat B.M. dhe J.M., duke jua drejtuar atyre, por edhe për të goditur ata në pjesë të ndryshme të trupit. Prej tyre duket se janë konsumuar edhe elemenmtët e veprës penale të “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i K.Penal. Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal në ngarkim të këtyre shtetasve.

Çfarë ndodhi?

Dhuna e ushtruar ndaj familjes Maja më 6 korrik, tronditi vendin. Organet e rendit thanë se shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës. Pas ankesave, fisi Rraja shkuan në një lokal dhe i dhunuan pa pushim me shkopinj në trup e kokë, madje i drejtuan edhe pistoleta. Videoja u bë publike dhe në kërkim janë shpallur Rexhep Rraja djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja dhe vëllai i tij Xhelal Rraja. Të tjerët janë identifikuar si Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja. Në qeli do të qëndrojnë Ineid Rraja, Eni Kulla dhe Andi Rraja, ndërsa pronari i lokalit Kujtim Përdaku është lënë në detyrim paraqitje nga gjykata.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *