Elton Qyno
Një sherr i nisur mbrëmjen e Shën-Valentinit në 14 shkurt mes dy protagonistëve Ramadan Hasani dhe Spartak Selima, ka përfunduar në dëmtimin fizik të këtij të fundit.
Por Selima me qëllim hakmarrjen ndaj Ramadan Hasanit, ka vendosur që së bashku me tre shokët e tij, Kristi Selima, Marsel Xhakollari dhe Erion Guri, kanë ngritur një pritë ndaj Hasanit duke e goditur me shkopinj bejsbolli dhe sende të tjera, e për pasojë i kanë shkaktuar dëme të shumta trupore.
Pamjet e shfaqur në televizione tregojnë makabritetin e goditjeve me shkopinj bejzbolli në dëm të Ramadan Hasanit, i cili është ndjekur deri në ambientet e brendshme të një servisi, në pronësi të shtetasit me inicialet O. Çukollari.
Dhuna fizike ka qenë sistematike dhe e pandërprerë. Ndërsa ka mjaftuar vetëm një thirrje e pronarit të servisit me fjalët “…erdhi policia…” dhe 4 autorët kanë ndërprerë goditjet dhe janë larguar me vrap.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se arsyeja e konfliktit mes këtyre persona ka qënë një konflikt i mëparshëm, i ndodhur në 14 shkurt 2023, ku Spartak Selima, ka shkuar në banesën e Ramadan Hasanit dhe është konfliktuar me Hasanin dhe vëllain e tij.
Në përleshje e sipër ai është dhunuar nga këta dy vëllezërit dhe për këtë ngjarje, janë kryer veprimet proceduriale ku këta persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Korçë.
Ndërkohë në lidhje me ngjarjen e 22 Marsit 2024, i është marrë ankimi Ramadan Hasanit, në ambjentet e spitalit, i cili ka deklaruar se:
“…rreth orës 12:00, kisha lënë automjetin tim për të larë tek lavazhi i Olit. Kur shkova që ta ndizja makinë për të ikur, kam parë një makinë “Passat” nga ku dolën katër veta me shkopinj bejsbolli dhe se çfarë kishin diçka një send si të zi nëpër duar. I njoha pasi 1 kam parë dhe më përpara, të cilët ishin Spartak Selima, Kristi Selima, Marsel “Kinezi” (Marsel Xhakollari) dhe kunati i Spartakut, “Qymka” (Erion Guri). Unë u tremba sepse ata filluan të më ndiqnin dhe në brendësi të lavazhit, më kanë goditur me shkopinj që të katërt. Mendoj se më kanë goditur sepse para rreth 1 muaji ne u grindëm me ta dhe na shoqëruan në polici më pas….”.
Për këtë ngjarje pritet që brenda kësaj jave 4 personat të dalin para gjykatës së Korçës, për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë.