Gjithnjë e më shumë ne këtu në Shqipëri bindemi se jemi në një treg global pune dhe nga këtu mund të punojmë për shumë kompani të huaja, por kjo nuk është e vetmja gjë e mirë që ka ardhur me këtë globalizim. Vitet e fundit janë shtuar sidomos studentët që zgjedhin të studiojnë jashtë shtetit dhe këtë vit, 20% më shumë studentë të huaj studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me një vit më parë. Shifra bëhet e ditur nga zëvendës shefja e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane, Amanda Roberson .
Ndërkohë, krahasuar me numrin e popullatës, të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e parë në rajon.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, zonja Roberson tregon se si të rinjtë shqiptarë mund të informohen për të ndjekur studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përveç universiteteve të shumta, vetë departamenti amerikan ofron çdo vit 60 bursa studimi.
Ajo bën të ditur, se ka nga të gjitha nivelet e studimeve dhe në të gjitha degët. Për t’u informuar, të rinjtë shqiptarë mund t’i drejtohen zyrës së këshillimit “Education USA”, drejtuar nga Aida Hudhri, ose në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale të ambasadës.
“Nëse jeni të interesuar të mësoni mbi mundësitë e bursave të ambasadës ne kemi rreth 60 bursa çdo vit, të vlefshme nga departamenti i shtetit dhe çdo vit inkurajojmë studentët shqiptarë të aplikojnë. Ne kemi programe që nga shkolla e mesme, përshembull, tani po presim aplikime për programin “Tech girls”, që është për vajzat e shkollës së mesme që shkojnë dhe mësojnë për teknologjinë dhe kthehen në Shqipëri për të vënë në zbatim dijet e tyre. Kemi një program për studentët që janë në proces diplomimi për një semester jashtë dhe kemi gjithashtu mundësi për programe pas diplomimi që mund të shkojnë e të bëjnë kërkime për një kohë të shkurtër. Pra ka mundësi të ndryshme, diçka për këdo. I gjithë informacioni është në website-in tonë dhe në rrjetet tona sociale, ku inkurajojmë vërtet qytetarët të aplikojnë, ka thene ajo.