GJKKO e shpalli të pafajshëm, SPAK kërkon dënim për ish-kryebashkiakun e Pogradecit

SPAK kërkon dënim për ish-kryebashkiakun e Pogradecit, Eduart Kapri.

Mësohet se SPAK ka dorëzuar në Apelin e Posaçëm kërkesën për dënimin jo vetëm me burg, por gjithashtu edhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Kujtojmë se disa muaj më parë, ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit, u shpall i pafajshëm pas akuzave të Prokurorisë së Posaçme. Akuzat ndaj tij lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe shkeljen e barazisë në tendera. Kapri akuzohet se ka abuzuar me tenderin e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017, kur Kapri drejtonte Bashkinë.

Gjithashtu SPAK ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin edhe për ish zv-kryetarin e së njëjtës bashki Avdulla Cano, i cili u shpall i pafajshëm disa muaj më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Të njëjtën kërkesë për t’i cilësuar si fajtorë, SPAK e përsërit edhe ndaj ish-drejtoreshës Enkelejda Kllomollari, Nexhmi Korrën ish-koordinator i njësive administrative të dyshuar për shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tendera. Por, edhe ndaj punëtorëve të mirëmbajtjes në këtë bashki, Gurali dhe Safet Blaceri, njëri mirëmbajtës dhe tjetri hidraulik.

Hetimet ndaj Eduart Kaprit janë të ndara në dy faza, të cilat Prokuroria Speciale i sqaron më poshtë.

Fakti i parë penal, lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”.

Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Fakti i dytë penal ka lidhje me ngjarjen e datës 28.06.2019 (dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit 2019), ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gurali dhe Safet Blaceri, duke vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkolla dhe një kopsht, institucione këto që ndodhen ne lagjet nr.2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.
Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka patur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve.

Gjithashtu, për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, veç Kaprit, akuzohen dhe:

  • Avdulla Cano, me detyrë ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;
  • Nexhmi Torra, me detyrë ish-koordinator i Njësive Administrative pranë Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
  • Enkeleida Kllomollari me detyrë ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore pranë Bashkisë Pogradec, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal
    Kurse, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” akuzohen:
  • Gurali Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal
  • Safet Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *