Hartohet projektligji për nënat surrogate dhe abortin në Shqipëri, opozita kundër: Dëmton familjen!

Një projektligj i propozuar nga mazhoranca që pretendon se rregullon shëndetin seksual dhe riprodhues është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë. Drafti synon të rregullojë të plotë zhvillimin e reja në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, duke përshirë edhe shtatzaninë surrogate dhe riprodhimin in vitro.

Nëse drafti i propozuar do të miratohet atëherë çdo grua e cila do ta kishte të pamundur për shkaqe shëndetësore të mbetej shtatzënë ka të drejtën që të ketë një fëmijë përmes një marrëveshje me shkrim me një grua tjetër,  e cila duhet të jetë mbi 25 vjeç e të ketë lindur më parë të paktën një fëmijë tjetër.

Projektligji njeh edhe abortin në Shqipëri në bazë të klushteve të caktuara. Nëse miratohet do të njihet e drejta për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose privat. Aborti mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë disa kërkesa. Ndërsa aborti për arsye shëndetësore mund të bëhet deri në javën e njëzet e dytë të shtatzënisë, nëse jeta ose shëndeti i gruas është në rrezik serioz.

Ministria e Shëndetësisë kërkon që nëpërmjet ligjit të njihet edhe ruajtja e qelizave riprodhuese me metodën e ngrirjes.

Ditën e sotme, kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, deputetja e PD-së, Zheni Gjergji ka dalë në një komunikatë për mediat, ka ka denoncuar se ky projekt-ligj është hartuar në klinikat private dhe grupi i punës mbahet sekret sepse është në konflikt interesi. Sipas saj, kjo nismë i hap rrugë monopolit të shëndetit riprodhues.

Gjergji ngriti edhe shqetësimin se lejimi i nënave surrogate, mund të prekë, gratë që janë në gjendje të vështirë ekonomike dhe të bëhen pjesë e trafikantëve. Sipas saj, shumë vende të botës e kanë të ndaluar dhe aty ku lejohet bëhet vetëm me vendim gjykate dhe jo si nisma e socialistëve që e lejon vetëm me një letër me shkrim. Po ashtu, deputetja demokrate ngriti edhe shqetësimin e aborteve selektive.

Sipas Gjergjit, ky ligj shkatërron konceptin e mëmësisë dhe shtatëzanisë dhe do të miratohet vetëm për të favorizuar klientët e qeverisë.

“I hartuar në fshehtësi nëpër klinika private që ditën bllokojnë shërbimet publike dhe natën u japin jetë aktiviteteve të pakontrolluara, kjo nismë i hap rrugë monopolit të shëndetit riprodhues që nëse Ministria e Shëndetësisë të përcaktojë dhe licensojë ekspertët e fushës së riprodhorimit të asistuar me kritere allashqiptarçe duke shkatërruar shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhimit të asistuar.

Grupi i punës mbahet sekret, sepse është në paligjshmëri të plotë duke qenë në konflikt interesi. Ky projektligj i paraprin edhe shkatërrimit të plotë të konceptit të familjes, të mëmësisë dhe vazhdimësisë së jetës veçanërisht seksit femëror pa një kontroll nga institucionet publike e shëndetësore.

Flitet për mëmësi dhe shtatzëni të sigurt, vetëm në përkufizimet e ligjit nga fundi kuptohet, por ndërkohë një grua shtatzënë sot nuk merr dot asnjë shërbim bazik të ndjekjes së shtatzënisë pa pagesë siç e ka ligji aktual dhe kjo do të vazhdojë të jetë fasadë. Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në raportet ndërkombëtare janë abortet selektive.

Sa i përket konceptit të surrogacisë, nënës zëvendësuese, ligji ka parashikuar që ky akt do të realizohet përmes një marrëveshje me shkrim përmes palëve, hapësirë ligjore abuzive. Ky akt në vendet ku njihet realizohet nëpërmjet një vendimi gjykate që merret me çështjet civile. Në Evropë, shtetet e fuqishme e kanë të ndaluar pasi prek shtresat e grave në kushte të rënda ekonomike. Ky akt shkatërron konceptin e nënës. Qeveria do të mburrej nga shtimi i vizitorëve, por shumë femra mund të bien pjesë edhe e trafikantëve si pasojë e kushteve të këqija, do të përdoret edhe nga të huajt.

Marrëveshja e pakontrolluar do ti hapte rrugë një abuzimi masiv e një skllavërie moderne e do ta shndërronte Shqipërinë në një laborator të madh kriminal

Ky pr/ligj i hartuar skutave të klinikave private në konflikt të plotë interesi, shkatërron përfundimisht shërbimin e shëndetit seksual dhe atij riprodhues. Në vend që të hartojmë politika që mbështesin jetën, të rinjtë gruan, qeveria ndërmerr një nismë që shkon në të kundër të interesit të shoqërisë dhe favorizuar klientelën e radhës që shohin këtu një mundësi të madhe për biznes.” – deklaroi Zheni Gjergji.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *