I martuar me të miturën, 34 vjeçari në Divjakë rrezikon deri në 15 vite burg. Vajza shkon në qendër rehabilitimi

Vajza 14-vjeçare e cila ishte martuar me 34-vjeçarin në Divjakë, është tashmë në një qendër rehabilitim social. Prindërit e vajzës e kishin denoncuar më parë në polici 34-vjeçarin pasi ata nuk ishin dakord me lidhjen e tyre, por asnjë masë nuk ishte marrë dhe prej 1 viti 14-vjeçarja dhe 34-vjeçari jetonin si të martuar.

Vajza është marrë nga shërbimet  sociale dhe po trajtohet me psikolog. Raste të tilla janë shumë të rënda.

Prindërit e 34-vjeçarit,Arianit Arapi thonë se ata janë njohur që në mars të vitit 2023 dhe jetonin bashkë. Madje kanë bërë edhe dasmë në gusht. Familja e vajzës nuk ka marrë pjesë pasi nuk ishte dakord me lidhjen e tyre. Ata kanë rreth një vit lidhje edhe pse me një diferencë prej 20 vitesh. Babai i djalit ka thënë se 34-vjecari është thirrur 3 herë në polici për këtë lidhje.

Avokatja Dorina Prethi është shprehur se 34-vjeçari në Divjakë që u “martua” me 14-vjeçaren duke e rrëmbyer dhe që abuzoi seksualisht me të, rrezikon nga 7 deri në 15 vite burg.

Komentet Prethi i bëri në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews, ku tha se nuk ka lehtësira nën dënimit me 7 vite burg, për ata që abuzojnë seksualisht me vajza nën moshën 14 vjeçare.

Ajo tha gjithashtu se edhe kryerja e marrëdhënieve seksuale me vajza nga mosha 14-18 vjeçare është e dënueshme.

“34-vjeçari që abuzoi seksualisht me 14-vjeçaren me të cilën ishte martuar, ideja është që kjo ka nisur në moshën që vajza ka qenë 13 vjeç, pra e kap neni 99 i kodit penal dhe ai dënohet nga 7 deri në 15 vite burg. Lehtësimi është që ai mund të marrë 7 vite burg, pra minimalin.

Ky nen është i qartë, që flet vetëm për kryerjen, pra që ka ndodhur raport seksual me një person nën moshën 14-vjeç. 14-18 vjeç sërish është e dënueshme. Lejohet vetëm kur vajza është 17 vjeç dhe është shtatzënë me personin që dëshiron të martohet, edhe kjo me leje në gjykatë.

Kërkesa për të bërë lehtësim të dënimit mund të ketë, i dënuari mund të bëjë vazhdimisht në bazë të sjelljes. Ne kemi pasur histori të vjetra me rrëmbimin e vajzave”, tha avokatja.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *