Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”.
Kishte siguruar dhe mbante në banesë, lëndë narkotike cannabis sativa, me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza, arrestohet në flagrancë 17-vjeçari.Sapo pa shërbimet e Policisë, i mituri hodhi nga xhami i automjetit, dozat e cannabisit, dhe tentoi të largohej me shpejtësi.
17-vjeçarit iu gjetën me vete dhe në banesë, rreth 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, një pjesë në doza.Në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë në lagjen nr. 16, një 17-vjeçar, banues në Korçë.
Automjeti në të cilin lëvizte i mituri është sinjalizuar për të ndaluar, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Pavarësisht sinjalit, ka vijuar me shpejtësi lëvizja me automjet dhe 17-vjeçari ka hedhur nga xhami, disa doza cannabisi që kishte me vete, me qëllim shitjen. Shërbimet e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar kapjen dhe ndalimin e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, janë kryer kontrolle në banesën e të arrestuarit, ku janë gjetur rreth 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa që dyshohet se posedohej me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza.
Veprimet procedurale me të miturin vijojnë të kryhen në prezencë të prindit, psikologut dhe mbrojtësit ligjor.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.