Vladimit Topi, është biznesmeni 75-vjeçar që u arrestua nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. I moshuari akuzohej për “korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve publikë”. Me profesion inxhinier dhe origjinë nga Barbullinja e Lushnjës, Topi ka ngritur dy kompani ndërtimi në Tiranë dhe Lushnjë, me emrin “Bledi” dhe “Dricons”.
Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan për “OraNews”, në muajin Gusht 2015, Vladimir Topi, ka hapur kompaninë “Dricons” në Tiranë, me qëllim kryerjen e aktivitetit në fushën e ndërtimit dhe supervizimeve të punimeve në objekte private dhe publike. Po sipas të njëjtit burim, në vitin 2019 deri në qershorin e vitit 2023, kompania “Dricons” e Vladimir Topit, ka fituar 4 tendera nga ministria e Shëndetësisë.
Të 4 tenderat kanë të njëjtin objekt prokurimi atë të supërvizimit të punimeve në ndërtimin e objekteve, ku vlera totale e pagesave në këto 4 tendera rezulton të jetë 13.8 milion lekë të vjetra, ndërsa janë superfizuar edhe punimet në objekte publike si: reparti special RENEA, Drejtoria e Policisë Shkodër, Repartet Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes.
Vetëm nga viti 2015 deri në vitin 2018, në llogarinë bankare të “Dricons” janë kryer 229 pagesa nga institucione të ndryshme të buxhetit të shtetit me një vlerë të përgjithshme, prej 302 milion lekë të vjetra. Ndërsa nga viti 2019 deri në qershorin e vitit 2023, “Dricons” ka përfituar nga buxheti i shtetit 288 transaksione bankare me një vlerë prej 874 milion lekë të vjetra.
E gjitha shuma financiare prej mbi 1 miliard lekësh është përfituar përmes tenderave për kryerje e supervizimin e punimeve të objekteve publike të ndëruara nga buxheti i shtetit.