Kush fiton nga Instagram, Tik Tik, Booking etj do të tatohet nga qeveria. Ja vendimi i ri

Të ardhurat nga Tik-Tok, Instagram, platformat ndërkombëtare Booking dhe AirBnB apo bonuset dhe përfitimet e përmuajshme të dëmshmpërblimit nga vendimet gjyqësore për shkurtim të vendit të punës do të konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe do të jenë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat.

Si tatim mbi pagën do të jetë edhe 80% e komisionet ndaj agjencive të rekrutimit për marrjen e punonjësve të huaj. Të ardhurat nga punësimi sipas ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” do të tatohen sipas normave progresive nga 13 deri 23%.

Udhëzimi për zbatimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” i botuar në Fletoren Zyrtare që hyn në fuqi nga 1 Janari 2024 parashikon se të ardhurat nga punësimi, gjithashtu, përfshijnë pagesat e menjëhershme që jepen në rastet e shkurtimit të vendit të punës apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit.

Nëse një punëmarrës, për shkaqet e mësipërme dhe bazuar në detyrimet e punëmarrësit sipas kushteve të kontratës, merr një të ardhur nga ish-punëdhënësi i tij në formën e bonusit ato do të tatohen sipas normave tatimore mbi pagat nëse pagesa e bonusit është e përmuajshme. Nëse pagesa kryhet në një shumë të vetme do të tatohet 15%.

Udhëzim ndër të tjera përcakton se për rastet kur agjenci të huaja i ofrojnë entiteteve juridike shqiptare fuqi punëtore nga jashtë, por pagesa e fuqisë punëtore i bëhet agjencisë së huaj sipas kontratës, tatimi që llogaritet dhe mbahet si tatim mbi pagën do të jetë jo më pak se 80% e tarifës totale që është paguar nga entiteti shqiptar për agjencinë e huaj të punësimit.

“Një kompani ndërtimi shqiptare ka kërkuar nga një agjenci punësimi kineze që ta furnizojë me 50 punonjës ndërtimi, të cilët do të punojnë për një periudhë 6-mujore. Pagesa totale e cila përfshin koston e punës dhe komisionin e agjencisë është 380 mijë euro.

Për nevoja të zbatimi të paragrafit 3 të nenit 12,të ligjit, fondi i pagave bruto supozohet të jetë 380.000 x 80 % = 304.000 euro. Secili punonjës supozohet të ketë përfituar mesatarisht: 304.000 : 6 muaj : 50 punonjës = 1.013 euro në muaj. Kjo do të jetë baza mbi të cilën do të llogaritet detyrimi tatimor për çdo punonjës, ndërkohë që detyrimin për deklarimin dhe pagesën e tatimit e ka kompania shqiptare e ndërtimit”, citohet në shembullin e udhëzimit.

Sipas Udhëzimit do të konsiderohen të ardhura nga punësimi dhe të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë nga pagesat që bëjnë personat jorezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë tatimorë në Shqipëri pavarësisht detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur.

“Si shembull përmendim të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj. Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri të detyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve”, përcaktohet në udhëzim.

Ndërsa për vendimet gjyqësore për dhënie kompensimi për të largimit nga puna nëse vendimi i Gjykatës i trajton si të ardhura në formën e kompensimit apo dëmshpërblimit, pa detyrimin për pagesën e kontributeve sipas muajve dhe viteve të kaluara, tatimi mbi të ardhurat llogaritet 15 % mbi pagesën bruto të përfituar nga punëmarrësi.

Po nëse vendimi i Gjykatës sipas udhëzimit shoqërohet me detyrimin e punëdhënësit, që krahas pagës, t’u paguajë punëmarrësit edhe kontributet e sigurimeve, të ardhurat e përfituara trajtohen si të ardhura nga punësimi të viteve për të cilat janë paguar dhe tatimi llogaritet si i tillë.

Nuk konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe nuk janë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat, përfitimet e të punësuarve për vlera ushqimore të konsumuara, pijeve (jo alkolike), pajisjet e punës apo trajtimi mjekësor.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *