Ligjvënësit spanjollë kanë miratuar një ligj që parashikon “leje menstruale” për gratë, një veprim i parë i këtij lloji në Evropë që qeveria e majtë thotë se synon të thyejë një tabu.“Është një ditë historike,” shkroi në Twitter Ministrja e Barazisë Irene Montero, një anëtare e partisë së majtë radikale Podemos, aleate me socialistët në qeveri.
Me këtë ligj, të miratuar me 185 vota pro, 154 kundër dhe tre abstenime, Spanja bëhet vendi i parë në Evropë dhe një nga të paktët në botë që e përfshin këtë masë në legjislacionin e saj, si Japonia, Indonezia apo Zambia.
Me këtë ligj “ndërprerja e punës për një grua për arsye menstruacionesh”, e lidhur, p.sh., “me patologji të tilla si endometrioza” do të “njihet si një gjendje e veçantë e paaftësisë së përkohshme” për punë.
“Kësaj gjendjeje patologjike i jepet një rregullore që do të përshtatet për të eliminuar çdo paragjykim negativ” për gratë “në botën e punës”, shtohet në tekst.Në ligj nuk jepet asnjë sqarim për kohëzgjatjen e këtij pushimi mjekësor, i cili duhet të jepet nga një mjek i paguar nga shërbimi i sigurimeve shoqërore.
Megjithatë, kjo “leje menstruale” shkaktoi rezerva te socialistët dhe u kritikua edhe nga sindikata e UGT-së.Kjo sindikatë e lidhur me socialistët, një nga dy më të mëdhatë në vend, ka shprehur kryesisht shqetësimin se ligji mund të veprojë si frenim për punësimin e grave nga punëdhënësit që duan të shmangin mungesa të tilla. Nga ana e saj, Partia Popullore Konservatore (PP), partia më e madhe opozitare, paralajmëroi rrezikun e “margjinalizimit” dhe “stigmatizimit” dhe të “pasojave të mundshme negative të tregut të punës” për gratë.