Fotoja e një babai që mbante për orë të tëra dorën e vajzës nën rrënoja, bëri xhiron e rrjetit në të gjithë botën pak ditë më parë. Mesut Hançer, 49 vjeç, nga qyteti i Kahramanmaras në Turqi ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane Bild, ku rrëfen momentet e tmerrit dhe humbjen e së bijës.
Ai u shpreh se ka gërrmuar rrënojat me duar, por sërish nuk ka arriti ta shpëtojë vajzën e tij 15-vjeçare, Irmak.
Në një intervistë të dhënë mbi varrin e së bijës, 49-vjeçari zbulon se ishte duke punuar në një furrë buke në momentin që ndodhi tërmeti.
Ai shton se gruaja së bashku me 2 fëmijët e tjerë ishte shëndoshë e mirë, ndërsa vajza që kishte shkuar të flinte tek gjyshja ndodhej nën rrënoja.
“Po punoja në furrë buke kur toka u drodh. Thirra gruan time në telefon. Ajo më tha se ajo, dy vajzat dhe djali ishin të sigurtë. Por vajza më e vogël nuk fjeti në shtëpi atë natë, por në divan te shtëpia e gjyshes. Kushërinjtë e saj ishin për vizitë dhe ajo donte të ishte me ta”, tha babai.
Ai rrëfen se kur e telefonoi vajzën ajo nuk i përgjigjej dhe në atë moment shkoi me vrap drejt rrënojave.
“Unë iu luta zotit: Të lutem, le të jetë e plotë shtëpia jonë…”, thotë 49-vjeçari.