“Motorin e kam blerë unë”/E dashura e Edmond Haxhisë: Portugezi përshëndeste banorët në gjuhën shqipe

Zbardhet dëshmia e të dashurës së Edmond Haxhisë, porositësit dhe organizatorit të vrasjes së Ardian Nikulajt. Vajza ka treguar se portugezi është dërguar në Shkodër, e më pas është dërguar në magazinën e shtëpisë së Edmond Haxhisë. Më tej, ajo ka treguar se portugezi përshëndeste gjithmonë banorët e Kakarriqit në gjuhën shqipe, por me Edmondin komunikonte në anglisht.

“Fillimisht portugezi është dërguar në një hotel në zonën e Shëngjinit, shumë pranë “Coralit”. Të nesërmen e kanë çuar në Shkodër. Motorin e kam blerë unë, e kam parë më vonë te magazina e shtëpisë së Edmondit në Kakarriq të Lezhës. Dy numrat me të cilët ka komunikuar Edmond Haxhia, janë regjistruar në emër të një vajze nga fshati Zejmen i Lezhës, e cila punon si menaxhere e një lokali në Tiranë. Portugezi përshëndeste gjithmonë banorët e Kakarriqit në gjuhën shqipe, por me Edmondin komunikonte në anglisht”, mësohet të jetë shprehur vajza.

Vrasja e Nikulajt u zbardh një ditë më parë. Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku njoftoi se gjithçka ishte planifikuar nga vëllezërit Lestakaj, me të cilët Nikulaj ishte në hasmëri që prej vitit 1997. Dyshohet se Lestakajt kishin paguar një skuadër të huajsh për të ardhur për të kryer vrasjen. Sipas të dhënave të PSH-së, në rolin e ekzekutorit ishte portugezi Ruben Saraiva, ndërsa katër britanikë ishin vëzhgues. Ata janë identifikuar si: Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. I gjithë ekipi menaxhohej nga Edmond Haxhia, djali i dajës i vëllezërve Lestakaj. Por, deri më tani asnjë prej të përfshirëve nuk janë arrestuar. Të gjithë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet destinacioni i tyre. Nga ana tjetër, vetë vëllezërit Lestakaj ndodhen në Britaninë e Madhe./Dosja.al

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *