Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar ditën e sotme se kanë nisur procedurat për largimin e ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim.
Për herë të parë kjo procedurë nis nga Ministria e Jashtme dhe dy muaj para se t’i mbarojë afati, madje Donald Lu e shtyu mandatin e tij edhe disa muaj.
Opozita ka ngritur akuza se qeveria po përpiqet të ndikojë në përzgjedhjen e ambasadorit të ardhshëm.
Por çfarë ka ndodhur? Prej muajsh në median online po flitet për një luftë të heshtur deklaratash mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores Kim. Përplasja u konfirmua disa javë më parë kur kryeministri u largua nga një takim publik, në momentin kur Kim do të merrte fjalën ndërsa e thumboi diplomaten se “ka ambasadorë që emocionohen publikisht për vendime gjykatash”.
Krisja e parë ndodhi në mars, ku Rama u pa qartë se nuk e kishte më Kim të preferuar ndërsa etiketimi “sekretare partie” u pa si batutë.
Por rrënjët ishin më të thella se kaq. Gara për kreun e ri të SPAK shihet si një nga arsyet më të forta të përplasjes. Amerikanët i druhen një drejtimi të të preferuarit të socialistëve dhe këtu nuk ka “ujdi”… Një tjetër përplasje e nëndheshme është edhe ajo për Aeroportin e Vlorës. Një artikull i botuar dje nga Zëri i Amerikës, që njihet gjerësisht si paralajmëruese e politikave amerikane në vend, njoftoi se Konventa e Bernit kërkonte me urgjencë anulimin e procedurave për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Deri tani besohet që zëvendësi ambasadores Kim mund të jetë David Kostelanick.
Kostelanick është një njohës i mirë i çështjeve ruse.
Për momentin ai është drejtor në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ardhja e ambasadorit të ri konfirmohet nga një mesazh publikuar në Twitter prej Ministrisë së Punëve të Jashtme ku thuhet se “për të shmangur çdo spekulim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht.’