Një aksident i rëndë ndodhi sot në Tiranë, pranë urës së vogël te Tajvani. Urbani i linjës së “Unazës” dhe të paktën katër automjete të vogla janë përfshirë në aksident.
Siç shihet dhe nga këto pamje të mëposhtme, edhe vetë shoferi i urbanit duket i tronditur nga ngjarja dhe vazhdon të qëndrojë në vendin e tij.
Shoferi ka dëshmuar në polici se nuk ndihej mirë në momentin që ndodhi aksidenti. Agron Xhafa, 62 vjeç, ka treguar se vuan nga diabeti dhe zemra.
Një nga qytetarët që ndodhej në urban, ka folur në lidhje me aksidentin masiv që u shënua në Tiranë, rreth një orë më parë.
Sipas tij shoferi nuk ishte i dehur, por që i kishte rëndë tensioni pasi e kishte parë t’i përplasej koka në timon.
“Ati i ra tensioni, i iku koka poshtë. Nuk ishte me shpejtësi, por i iku nga kontrolli. Mirë që shpëtuam aty brenda se u rrotulluam si bostona. Dolëm lehtë nga urbani se u hapën dyert. Shoferi ishte te 60 vjeç. I iku koka, nuk kishte pirë alkool. Pak u lënduan njerëzit, u lënduan lehtë me pak gërvishje”, tha qytetarai që ndodhej në Urbanin e Unazës kur ndodhi aksidenti.
Kujtojmë që rreth orës 11.30 një aksident masiv u shënua pranë urës së Tajvnit, ku Urbani i Unazës u përplas me disa mjete. Nga ngjarja raportohet se kanë mbetur të plagosur tre persona. Hetimet vijojnë për aksidentin, ndërsa pritet që të gjithë shoferët e përfshir ënë aksident t’i nënshtrohen testit të alkoolit.