“Në kuadër të dashurisë”, është filmi që Olta Gixhari dhe Luiz Ejlli janë duke xhiruar aktualisht. Dy protagonistët e “Big Brother” kanë bashkuar forcat për një komedi që pritet të transmetohet sezonin e ardhshëm. Së fundmi, është zbuluar se një tjetër personazh i njohur do luajë në film.
“Kryefjala” raporton se Sara Hoxha do të jetë pjesë e filmit. Zërat për pjesëmarrjen e saj kanë qenë të shumta e duket se të vërteta. Partnerja e Ledri Vulës do të ketë një rol të vogël në film dhe gjithashtu pjesëmarrja e saj pritet me shumë interes.
Kujtojmë se Sara arriti të fitonte “Dancing with the Stars” falë mbështetjes së publikut, ndaj edhe fama e saj është e madhe. Sara ka bërë disa prova këtë periudhë, duke përvetësuar kështu profilin e saj si aktore. Ndërkohë që filmi do të përmbajë edhe disa skena romantike, me puthje dhe skena të nxehta midis dy protagonistëve.
Të cilësuar si teza dhe antiteza, dy emrat me të komentuar të “Big Brother VIP”, Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari, janë bërë bashkë në një film. Është zbuluar se dy ish-banorët do të jenë protagonistët e filmit, por disa detaje të tjera i kandarë së fundmi moderator i njohur Blendi Salaj, i cili gjatë programit “Wake UP” ka shfaqur një baner të filmit dhe mësohet se produksioni është “Top Channel Films”.
Filmi do të titullohet “Në kuadër të dashurisë”, e cila duket se i referohet frazës së famshme që u përmend aq shumë gjatë BBVIP: “në kuadër të lojës”. Filmi do të jetë në zhanrin e “komedi-romancë”.
“Do të jetë një histori e vërtetë dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetën e dy njerëzve, dy familjeve të tyre në një komedi romantike që do t’u bëjë të qeshni, të qani dhe të dilni nga kinemaja të frymëzuar”, thuhet në përshkrimin e filmit.
Disa ditë më parë, Luizi publikoi një foto ku shfaqej krahë Oltës teksa po lexonin një skenar. “Filloi…”, shkruante këngëtari krahas fotos duke lënë të nënkuptohet se tashmë ata kanë nisur me xhirimet e filmit të shumëpritur.
Thuhet se filmi në fjalë pritet të finalizohet shumë shpejt dhe brenda pak muajve të lançohet për publikun.