“Sa e vështirë është t’ia dal me këtë rrogë”, rrëfimi i një mësueseje në ditën e 7 Marsit

Në Ditën e Mësuesve, ka edhe mësues që zgjedhin të reflektojnë, të mendojnë për vështirësitë që hasin në profesion apo dhe gjendjen ku ndodhet arsimi sot. Nevila Cungu, 46 vjeçe, mësuese histori-gjeografi në Shkollën 9-vjeçare të Vaut të Dejës, Shkodër, tregon për Gazetasi.al se edhe pse arsimi është bërë tashmë pjesë e rëndësishme e jetës së saj, shumë herë ka menduar se është peng i kësaj pune.

“Shumë herë them që po të kisha pasur një profesion tjetër do kishte qenë shumë më mirë por tani është vonë. Unë kam 25 vite punë dhe tashmë mësimdhënia është ajo që kam bërë gjithë jetën dhe që di të bëj. Në këtë moshë, është e vështirë të kesh një fillim të ri por e them shumë herë që kam mbetur peng e kësaj pune,”- thotë Cungu duke shtuar se po të fillonte një punë të re tani, do ishte diçka që e bën me detyrim, për të jetuar më mirë, por jo një punë që e bën me dëshirë.

Cungu është prind i dy fëmijëve, 19 dhe 18 vjeç. Janë të dy në shkollë të mesme, maturantë këtë vit. Mendimi për t’i dërguar në shkollë të lartë është shumë shqetësues për Cungun si prind sepse “të kesh dy fëmijë studentë në Tiranë u kushton një shtëpi për ta, duke qenë se janë dy dhe mundësitë janë të vogla sado para të kesh, jo më të jesh me një rrogë mësuesi”.

“Tani jetojmë me stres, me frikë, me vështirësi, duke mos ditur si do ia dalim kur shpenzimet të shtohen”.

Mësuesja tregon për Gazetasi.al se stresi për të fillon të shtohet më shumë kur afron data e rrogës.

“Unë kam kredi me të cilën kam blerë shtëpi dhe është shumë problem kur vjen data e këstit dhe nuk ka kaluar akoma rroga, diçka që ndodh shumë shpesh. Dhe tani na mbetet vetëm të veprojmë “me të njohur”, duke i lutur që të presin derisa të dalë rroga.”

“Ia dalim me pak lutje nëpër zyrat e bankës”, thotë Cungu.

Duke qenë dikush që e do arsimin, Cungu mendon prej kohësh për universitetin e fëmijëve, e ndërgjegjshme se me rrogën që ka, nuk do t’ia dalë dot.

“Bashkë me bashkëshortin që ka një rrogë mesatare, kemi menduar që fëmijët të fillojnë punë por dhe kjo është shumë e vështirë për shkak të orareve por edhe sepse unë jam mësuese vetë dhe e di sa e vështirë është për një student të përqendrohet aq sa duhet tek mësimet nëse edhe punon dhe sigurisht që dua që fëmijët të jenë sa më mirë në degët që do zgjedhin”, thotë Cungu. Ajo tregon se çdo ditë mendon për alternativa dhe një ndër to është të fillojë një punë të dytë, ndoshta dhe disa orë pasdite edhe pse është shumë e vështirë.

“Unë shkoj në shtëpi në orën 14:30 dhe sigurisht që duhet të kujdesem dhe për punët e shtëpisë si pastrimet, gatimi dhe çdo gjë tjetër” dhe me gjithë këto, e ka menduar edhe një punë të dytë si shitëse apo qoftë edhe në Call Center, për të plotësuar nevojat e familjes, jo më shumë.

Cungu tregon se me rrogën e saj (60 mijë lekë) paguan kredinë dhe pjesën që mbetet e ka vetëm për të paguar fatura dhe tarifa si ujë, drita, internet, ngrohje etj.

“Nuk dua të tregohem pesimiste por realiteti është se tani është më e vështirë të jetosh me një rrogë mësuesi”.

Edhe mësimdhënia është bërë më e vështirë sepse fëmijët janë të shpërqendruar. Një problem i madh që Cungu e shikon në arsim është edhe largimi i nxënësve. Ajo tregon se fëmijët kanë filluar ta përjetojnë që në mosha të vogla largimin duke thënë “unë nuk do të jem”, “nuk do të rri këtu” etj.

“Janë edhe prindërit që diskutojnë në familjet e tyre që duhet të ikin nga vendi dhe nga këto ndikohen edhe fëmijët të cilët nuk impenjohen për të mësuar sepse e quajnë veten në shkollë si kalimtarë”.

Ajo tregon se ndjehet shumë dëshira e fëmijëve për tu larguar dhe kjo ndikon edhe në mësimdhënie.

“Mua më bëhet më e vështirë mësimdhënia në momentin që një fëmijë më thotë “hë zysh se dhe këtë vit më ke këtu, dhe këtë vit do të rri”.

Fëmijët janë të demotivuar dhe mësueseve si Cungu u duhet të bëjnë edhe pjesën e psikologut.

“Janë edhe prindërit shumë të stresuar dhe kërkojnë shumë nga ne, ndoshta më shumë se sa duhet. Unë bëj maksimumin por nuk bëhem dot prind i nxënësve dhe nuk plotësoj dot të gjitha boshllëqet që lënë prindërit”, tregon Cungu.

Vështirësia në rritje vihet re edhe nga festa që nuk festohet njësoj.

“Këtë vit, në krahasim me vitet e tjera kam vënë re se shumë mësuese më kanë thënë “po rregullohemi me veshjet që kemi”, ndërkohë që vitet e tjera ishte një ditë feste dhe sigurisht që mundoheshim të gjithë të blinim diçka të re, të bënim diçka ndryshe. Këtë vit jemi ngushëlluar me “këtë fustan nuk e kam veshur në shkollë, këtë veshje nuk ma kanë parë. Kjo sepse tani për ne është luks të shpenzojmë shumë para për një ditë, edhe pse është dita jonë”./GazetaSi

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *