Qeveria do të nisë ndryshimet për ligjin e turizmit duke u konsultuar me bizneset e këtij sektori.
Ky sezon turistik dëshmoi rritjen e numrit të rezervimeve përmes platformave Booking apo Airbnb.
Ndryshimet në ligj synojnë bërjen të mundur të mbledhjes së taksës së fjetjes, e cila u kalon bashkive, edhe kur një turist rezervon përmes këtyre platformave.
“Edhe këtu jemi duke parë një sistem reformimi për ta formalizuar për ta bërë më transparent, për ta dixhitalizuar që të jetë i kontrollueshëm qoftë nga policia e shtetit për arsye sigurie qoftë nga njësitë e qeverisjes vendore për të vjelë këtë taksë. Qoftë edhe për tatimet për të qenë të gjithë të koordinuar”- tha Kumbaro.
Sipas INSTAT për periudhën Janar-Shtator 2023 vendi ynë u vizituar nga 8.3 milion shtetas të huaj.
Ndërsa Borometri Botëror i Turizmit tregoi renditjen e vendeve me performancën më të mirë në mbërritjen e turistëve për periudhën Janar Korrik 2023.
Shqipëria renditej në vend të tretë me plus 56% pas Katarit dhe Arabisë Saudite.
Në faturën e pushuesve për çdo natë fjetje në hotel është e përfshirë edhe taksa e fjetjes që varion nga 35 lekë në 350 lekë në varësi të bashkisë. Por që mesa duket kontributi i kësaj takse në të ardhurat e bashkive nuk është në përputhje me bumin turistik. Dhe për këtë po ndryshohet edhe ligji për turizmin. Ndërsa e pyetur nga Report TV nëse do të hiqet favorizimi në TVSH, për strukturat akomoduese, ministrja nuk dha një përgjigje të prerë, por tha se kjo praktikë ka ndihmuar sektorin.
“TVSH 6% dhe jo 20% e aplikuar për të gjitha strukturat akomoduese, me kushtin që këto struktura të formalizohen, është një praktikë që po intensifikohet. Vetëm 2 vitet e fundit kemi një regjistrim të 2500 strukturave akomoduese”.
Ministria e Turizmit po punon edhe për një metodologji të re për statistikat e turizmit që do të jetë gati në vitin e ardhshëm. Shqipëria këtë vit po përjeton një bum të lartë turistik, ku në 9 muaj vendi është vizituar nga 8.3 milionë të huaj nga e gjithë bota.
“Po punojmë në një metodologji të re për statistikat e turizmit. Dua të ju them që statistikat që ne nxjerrit bëjmë një kryqëzim nga institucionet. Por në botë ekziston një sistem i cili mbledh të dhënat e kryqëzuara nga të gjitha institucionet. Ky instrument po ndërtohet dhe do ta kemi gati për vitin 2024”, tha Kumbaro.