Tërmeti me magnitudë 7.7 Rihter në Turqi dhe Siri po merr përmasa të paimagjinueshme tragjedie, pasi lajmet e fundit nga të dy vendet raportojnë për më shumë se 500 të vdekur.
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuad Oktay, pak më parë njoftoi se numri i të vdekurve në Turqi është rritur në 284, ndërsa i të lënduarve në 2323 dhe numri i ndërtesave që janë shembur ose dëmtuar ka arritur në 1710.
Ndërsa një zyrtar në Siri ka deklaruar se numri i viktimave atje ka shkuar në 237, ndërsa i të plagosurve në 639.
Pritet që numri i viktimave të rritet, pasi ka ende shumë ndërtesa të shembura që nën to ka persona. Spitalet janë të mbushura me të plagosur.
Të paktën 18 pasgoditje me mangnitudë mbi 4 ballë janë regjistruar pas tërmetit të fuqishëm.
Pasgoditja më e fortë deri më tani është regjistruar 11 minuta pas tërmetit të parë dhe kishte një magnitudë 6.7.
Ekspertët thonë se pasgoditjet e forta mund të vazhdojnë edhe në orët apo ditët në vijim për shkak se shkalla e goditjes së tërmetit ka qenë shumë e fortë.