Dritan Rexhepi është një nga emrat më të njohur në botën e krimit në vend.
Rexhepoi sot është 43 vjeç dhe ndodhet në Ekuador, ndërsa eri në vitin 2014 kur u arrestua atje për trafik kokaine, Dritani ishte në top listën e 10 më të kërkuarve nga Interpol Tirana.
Ai është një personazh i njohur jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga ajo italiane, belge, holandeze e spanjolle, ku Dritan Rexhepi ka shënuar disa rekorde sa i përket ngjarjeve kriminale.
Në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Në këtë kohë ai u konsiderua nga Policia shqiptare si vrasësi i parë me pagesë, raporton abc.news.
Mediat spanjolle u hapën me një kryeartikull në korrikun e vitit 2011, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve. Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës. Policia vendase u trondit nga mënyra se si kryenin grabitjet e bankave shqiptarët, ndërsa i etiketoi si “grabitësit që nuk linin gjurmë”.
Pas arrestimit, Rexhepi u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk qëndroi më shumë se dy muaj në qeli, pasi në tetor të vitit 2011, ai u arratis nga burgu, bashkë me një tjetër të dënuar. Por kjo nuk ishte arratisja e parë e tij, ndaj edhe cilësohej si mjeshtër i arratisjeve.
Në vitin 2008, ai kishte kryer një tjetër arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Rexhepi kishte marrë makinën e një të moshuare dhe ishte zhdukur, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Por të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Shqipëri. Pasi u arrestua në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez, në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga komisariati i Durrësit, pas një ndihmese nga radhët e Policisë, që i lanë derën hapur.