Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu u zhdukën në të njëjtën datë mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004. Kjo është një nga ato histori që bëjnë jehonë ende dhe sot për faktin se nuk ka asnjë gjurmë për fatin e të dyjave, por edhe sepse i vetmi autor i dyshuar nuk jeton më. Arben Hoxha bashkëjetuesi i Nertila Osmanit, kreu i një prej bandave famëkeqe të Lushnjës i cili është vrarë në vitin 2005. Vajzat u njohën në lokalin ku punonin bashkë në zonën e ish-bllokut në Tiranë në vitet 2000. Periudhë gjatë së cilës Nertila u lidh me Arbenin, ndërsa nisën bashkëjetesën duke marrë një shtëpi me qera, në zonën e Laprakës. Në vitin 2003 vjen në jetë vajza e tyre e vetme. Ata nuk patën celebrim, ndërsa ditën që partneri i kërkoi Nertilës të takoheshin pranë doganës, do të nisej për në Gjermani. Pas debatit qe ndodhi mes tyre Nertila shkon tek shoqja e saj Sonila Kryeziu. Ajo njofton në telefon fqinjën se do të kthehej atë natë. Arbeni ishte personi i fundit që Nertila pati kontakt, ndërsa e ëma mëson se edhe shoqja e saj ishte larguar po atë natë, pasi një djalë me emrin Dani nga Durrësi e kishte telefonuar rreth orës 20:30-të të mbrëmjes më datë 11 mars të vitit 2004.
Biseda në emision
Dëshmitarja: Unë jam … nga Tirana dhe martuar në Lushnjë. Unë di të vërtetën çfarë ka ndodhur me dy vajzat.
Odeta Dume: Na tregoni…
Dëshmitarja: Ish e dashura e Benit (kreu i një prej bandave të Lushnjës)
Odeta Dume: Po
Dëshmitarja: Ben Hoxha quhej dhe ai i vrau të dyja.
Odeta Dume: Ku ka ndodhur vrasja?
Dëshmitarja: I ka vrarë dhe i ka varrosur në Divjakë. Në plazhin e Divjakës në rërë
Odeta Dume: Nga e mësove këtë ngjarje ti, nga e di ti që…
Dëshmitarja: Sepentja. Sepentja quhej Armand dhe ai ka groposur trupat. Ai më ka treguar krimin, ka qënë nën efektin e alkoolit.
Odeta Dume: Ku jeton ky?
Dëshmitarja: Ai për fat ka vdekur vjet dhe ka qënë pjesë e grupit të Arben Hoxhës. Ama ai nuk ka qenë vetëm. Rrëmujë e sherre e shamata, se Beni kishte një gjë. Nëqoftëse t’i i ktheje përgjigje Benit, të vriste në vend. Ishe i eleminuar
Odeta Dume: Sa persona kanë marrë pjesë në krim?
Dëshmitarja: Vajzat i vrau Beni dhe trupat i kishte hedhur në makinë. Ai ka telefonuar Sepenten dhe një person tjetër që t’i groposnin. Dhe këta të dy i groposën trupat e vajzave.
Odeta Dume: Të kujtohet, çfarë vendi konkretisht të ka treguar?
Dëshmitarja: Sa kaloje gabinat e plazhit, që kanë qenë të kohës së Enverit. Sa i kaloje, janë ato si kodrina të rërës, si duna. Aty i kanë groposur.
Odeta Dume: Po emri i personit të tretë të kujtohet? Ai që shoqëroi Sepenten për të groposur trupat?
Dëshmitarja: Nuk ma ka thënë emrin, po sigurisht pjesë e grupit të tyre ka qenë
Kjo dëshmi ka shokuar jo pak familjarët e dy vajzave të humbura, ndërsa motra e njërës prej tyre la studion e emisonit duke shpërthyer në lot.
Policia e Divjakës ndodhet prej disa orësh në vendin ku dyshohet se janë varrosur Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu. Pas dëshmisë në ‘Pa Gjurmë’, dhe nën drejtimin e kreut të komisariatit të Divjakës Edmond Merkaj, forcat policore kanë shkuar në vendngjarje për verifikimin. Do të jetë policia e Divjakës që do të rrethojë zonën dhe më pas do të nisë gërmimi për të vërtetuar nëse trupi i dy vajzave është groposur në dunat e Divjakës.
Emri i tij është përmendur gjatë në studion e emisionit ’Pa Gjurmë’ në deklaratën e dhënë nga nëna e Nertila Osmanit janarin e vitit 2019. Arbeni ka qenë bashkëjetuesi i të bijës, me të cilën ka edhe një vajzë. Arben Hoxha ishte kreu i një prej bandave famëkeqe të Lushnjës, prej vitesh ishte i divorcuar.
Ai ishte një person me precedent penal, ndërsa pas viteve 90 nis aktivitetin e tij kriminal kryesisht me gjobvënie. Mbante nofkën ’Ben Komisari’, pasi ishte djali i ish-shefit të Degës së Punëve të Brendshme në Lushnjë. Ben Hoxhës ka pasur një jetë mes Lushnjes, Tiranës e Milanos.
Në Itali vijoi aktivitetin kriminal, ndërsa emri i tij ka qenë i skeduar nga autoritetet vendase dhe ato italiane si i dyshuar për vrasje, trafik të lëndëve narkotike dhe prostitucion. Aktivitet, i cili zgjati deri në vitin 2005. 18 majin e këtij viti ekzekutohet në lokalin e lojërave të fatit pas një konflikti për mospagimin e parave, duke kërcënuar personelin. Në sherr e sipër pronari i lokalit Arben Laze në bashkëpunim me administratorin Dritan Bilbili e qëlluan me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në vend.
Shqiptarja.com