Erlinda Metaliaj është 30 vjeçarja që u arrestua ditën e sotme nga Policia e Tiranës, pasi mashtroi një vajzë tjetër duke i shitur nëntë çanta false si origjinale, të markave të njohura, me një vlerë prej 36 mijë eurosh.
Mësohet se të dy vajzat ishin mikesha me njëra-tjetrën. Klientja i kishte kërkuar Metaliajt t’i sillte çanta origjinale të markave si “Chanel” apo Guççi nga jashtë shtetit, pasi kishte një dyqan me qira dhe të mund t’i shiste më pas në Tiranë.
30 vjeçarja Metaliaj i kishte sjellë nga jashtë shtetit nëntë çanta, brenda pak muajve, me pretendimin se ishin origjinale. Kur vajza ka nisur t’i shesë, kanë qenë ekspertët që kanë kuptuar se çantat nuk ishin origjinale. Pas kësaj ajo ka bërë denoncim në Polici dhe pas hetimeve u bë i mundur dhe arrestimi i 30-vjeçares.