Nga Prishtina në Tiranë/ Protestë për vrasjen e Liridona Ademajt: Burrat po përdhunojnë e po vrasin çdo ditë

Para ambasadës së Kosovës në Tiranë u zhvillua në protestë për vrasjen e  Liridona Ademajt në Prishtinë. Protestës iu bashkua edhe ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi.

Sipas Durmishit, kjo është një ngjarje që ka shokuar të gjithë, ndërsa u shpreh se drejtësia do të thotë fjalën e vet për këtë krim kaq monstruoz, siç e quajti ai.

“Unë dola t’iu takoj para derës së ambasadës. Është një iniciativë njerëzore dhe të falënderoj për ndjesinë që tregoni për një rast që ka tronditur Kosovën që është e shtanguar dhe në shok të vërtetë. Protesta juaj është për t’u përkrahur dhe thirrjet tuaja për drejtësi për Liridonën dhe për çdo grua. Drejtësia të thotë fjalën e vet për një krim kaq monstruoz siç ndodhi me Liridonën”, tha ai.

Një protestë u mbajt sot edhe jashtë Gjykatës së Prishtinës, ku u mbajt seanca e parë për Naim Murselin dhe bashkëpunëtorët e tij në vrasjen e Liridonës.

“Nuk do të qëndrojnë të qeta, përderisa burrat vazhdojnë dhunojnë e vrasin vajza dhe gra. Vetëm këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunojë dhe e shantazhojnë një të mitur në Gjakovë. Një burrë tjetër përdhunoj një të mitur në Pejë e një burrë pagoi vrasjen e gruas së vet në Prishtinë. Dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve, ato janë simptoma të parktialkalizmit, i cili vazhdon ta qeverisë familjaren, shoqërinë, pushtetin dhe të gjithë ne. Ato janë pasoja e një dhune strukturore partiarkale që vazhdon të shtyp gratë e të prodhoj dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqërorë e politikë. Ne gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe sigurinë e njëra tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfat në secilën hapësirë e disa edhe po i vret e kjo nuk duhet të vazhdoj kështu, vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa gratë çdo ditë përjetojnë gjendje lufte”– u shpreh aktivistja Trina Binaku.

Ndërsa, të martën duke filluar nga ora 18:00, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur një protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

“Sot nga Pallati i Drejtësisë ku po gjykohen vrasësit e Liridona Ademajt thërrasim në organizim dhe veprim të gjithë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, u shpreh Binaku.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *