Alban Bengasi është arrestuar në Rinas nga operacioni “Plumbi i artë”, duke hyrë në Shqipëri teksa po kthehej nga Dubai.
Dyshohet se Bengasi ka kërkuar nga grupe kriminale që të hedhë në erë makinën e ish-bashkëshortes së tij, emri i të cilës nuk është bërë me dije. Avokati ka paguar 120 mijë euro për të vrarë ish-gruan e tij.
Dëshminë tronditëse e ka dhënë për SPAK i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili rrëfeu se fillimisht avokati kishte kërkuar që gruaja e tij të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta. Dhunimi ndodhi nga dy djem që kishte punësuar Dumani, por avokati nuk ishte i kënaqur dhe i kishte bërë ofertën për ta eliminuar krejtësisht në këmbim të 120 mijë eurove.
Njoftimi i policisë:
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Golden Bullet”. Ndalohet në Rinas, një shtetas tjetër i shpallur në kërkim gjatë këtij megaoperacioni.
Në hyrje, në aeroportin e Rinasit, gjatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin A. B.
Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar. Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.