Rama për vjedhjen nga pastruesja: “Institucionet tona po pastrojnë llumin, ja prova se jemi kundër korrupsionit”

Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vjedhjen e shtëpisë së ish-zyrtares Alda Klosi, nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila bashkëpunoi me të birin Havier Dobi. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar ‘llumin’, duke nënkuptuar ish-zyrtaren Klosi dhe burimin e dyshimtë të parave që iu gjetën në shtëpi. Në fund ai shton se kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë, duhet tu shkohet deri në fund historive. Sipas tij, koha kur policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin ‘lakrat në shesh’ njerëzve të veshur me kostum zyrtar, referuar sërish Klosit, ka marrë fund.

Postimi:

Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit! E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë! Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë.

Vetëm dy ditë më parë u zbulua një megavjedhje ku Rozeta Dobi, pastruese bashkë me të birin, Havierin vunë në shënjestër dhe vodhën mbi 540 mijë euro, plus një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe sendesh me vlerë. Banesa që solli zbulimin e dyshes ishte ajo e këshilltares në Kryeministri, Alda Klosi, njëherazi ish-shefe e Kabinetit të ish-ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Ata vodhën te shtëpia e Klosit 120 mijë euro lekë dhe florinj. Por kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi thotë se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait ndërsa për to nuk ka asnjë faturë.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *