“Rrahën më parë bashkëshorten time, pastaj erdhën te unë”, gazetari tregon se si u dhunua

Gazetari i Lezhës, Elvis Hila ka treguar për Panorama TV ngjarjen e rëndë ku u dhunua një ditë më parë nga dy persona për shkak të detyrës.
Ai tregon se gjithçka nisi pas një lajmi të publikuar në mediat ku ai punon, për dënimin e një personi me burg nga ana e Gjykatës së Lezhës. Pas kësaj, dy të afërm të të dënuarit, e kanë telefonuar dhe e kanë kërcënuar gazetarin.

Hila tregon se i ka takuar dy personat në bulevardin e qytetit, dhe në këtë moment, ka qenë sëbashku me bashkëshorten në makinë. Gazetari thotë se bashkëshortja iu afrua dy personave duke i kërkuar të largoheshin, dhe në atë moment tentoi të telefonojë policinë.

Më pas, ata i kanë hequr telefonin nga dora dhe e kanë goditur, e më pas dhunuan edhe gazetarin i cili ndodhej në makinë. Elvis Hila tregon se nuk i njihte më parë ata persona dhe se nuk ka informacion nëse kanë pasur më herët precedentë penalë.

Ada Hazizolli: Si ndodhi ngjarja?

Elvis Hila: Gjithçka nisi me një lajm të publikuar në mediat ku unë punoj për dënimin e një personi nga ana e gjykatës së Lezhës. Siç duket, diçka e tillë nuk i ka pëlqyer familjarëve në fjalë. Ishte djali i të dënuarit që më ka telefonuar ditën e djeshme dhe më ka kërcënuar. Rreth një orë e 30 minuta më vonë, jam telefonuar nga një numër tjetër, që më kërkoi për t’u takuar.

Në atë momente, po merrja bashkëshorten time tek puna. Më pas kishim lënë takim. Shkova me automjetin tim ku ishte dhe bashkëshortja. Në atë momente, në bulevardin e qytetit, ishte i parkuar një mjeti tip Golf 6 dhe doli personi që më kishte telefonuar, sëbashku me djalin e të dënuarit nga gjykata e Lezhës. Më kërkuan që të hapë krahun dhe më kërkuan të zbresë nga makina. Kishin një qëndrim aspak normal, nuk pranova që të zbresë nga makina. Më pas, më janë afruar tek dera e makinës duke më kërkuar llogari për publikimin e lajmit.

Është një vendim publik i dhënë nga gjykata e Lezhës. Nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar. Janë afruar tek makina duke më kërkuar llogari, duke më sharë dhe ofenduar. Bashkëshortja duke parë se po agravohej situata, doli nga mjeti për t’i larguar personat në fjalë. Ajo tentoi të telefonoi policinë, por në atë moment i hoqën telefonin nga dora dhe e goditën. Më pas, ata erdhën drejt meje duke më goditur me shkelma dhe grushte.

Ada Hazizolli: I njihje më herët këta persona?

Elvis Hila: Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti. Nuk i njoh fare. Njëri më telefonoi në fillim, djali i personit të dënuar në gjykatën e Lezhës, më ofendoi dhe më shau. Ata më janë prezantuar me emra, por nuk i njoh.

Ada Hazizolli: Ke dijeni nëse kanë pasur precedentë të mëparshëm penale?

Elvis Hila: Në fakt unë ushtroj këtë profesion në qarkun e Lezhës që prej 2010-ës dhe sulme të tilla nuk më ndalojnë që të ushtroj më tej këtë profesion. Nuk kam ndonjë informacion nëse janë të dënuar apo të kenë precedentë të mëparshëm penale.

Ada Hazizolli: A janë vendosur përpara përgjegjësisë këta persona?

Elvis Hila: Unë shkova në spitalin e Lezhës bashkë me bashkëshorten. Aty erdhën policia, kam bërë deklarimet e mia. Janë vënë në ndjekje të personave në fjalë. Kanë bërë kontrolle në banesa sipas policisë, por nuk kanë gjetur gjurmë të tyre.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *