“Shtëpi bari” në Korçë, tre të arrestuar (Emrat)

Finalizohet operacioni i koduar ‘Denasi’. Policia e Korçës në një njoftim zyrtar bën me dije se gjatë kontrolleve të kryera, janë sekuestruar kanabis, armë gjahu.

Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ranë Donald Lato, Klevis Zaçellari dhe Luan Qazimi.

Sakaq vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi-DVP Korçë

Finalizohet pas 2 muajsh hetime proaktive, operacioni policor i koduar “Denasi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe kultivimit të bimëve narkotike.

Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, 2 armë gjahu dhe 2 tyta çifteje, si dhe asgjësohen fidanë kanabisi që u gjetën të kultivuar afër një banese.

Vihen në pranga 3 shtetasit që posedonin kanabisin, në banesat e tyre.

Njëri prej tyre dyshohet se kishte kultivuar edhe fidanë kanabisi, në afërsi të banesës, ndërsa tjetri posedonte 2 armët e gjahut dhe 2 tytat e çifteve.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e aktiviteteve kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Denasi”.

Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-D. L., 24 vjeç; K. Z., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Gjonomadh, Korçë dhe L. Q., 38 vjeç, banues në fshatin Denas, Korçë. Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, shërbimet policore kanë ushtruar kontroll në banesat e tyre, në fshatrat Gjonomadh dhe Denas. Gjatë kontrolleve në të tria banesat, u gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis.

Gjithashtu, në afërsi të banesës së shtetasit D. L., u gjetën të kultivuar fidanë kanabis, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. Z., u gjetën 2 armë gjahu dhe 2 tyta çifteje.

Lënda narkotike dhe armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa fidanët narkotikë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *